KQZ-ja drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po hyn në fazën përfundimtare të procesit për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se gjatë ditës së hënë do të përfundojë numërimi i votave nga jashtë Kosovës, pas së cilës do të numërohen votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Ai kujtoi se javën e kaluar janë verifikuar rezultatet për 2,571 vendvotime në 38 komuna dhe është përmbyllur numërimi i kandidatëve për kuvendet komunale.
Sipas Elezit, pas shpalljes së rezultateve, subjektet dhe kandidatët do të kenë të drejtë ankese, ndërsa procesi pritet të përfundojë pas certifikimit përfundimtar.











