KQZ ende pa datë për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit, përfshirë edhe fletëvotimet e ardhura me postë nga jashtë Kosovës. Megjithatë, KQZ ende nuk ka caktuar një datë për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare.
Sipas KQZ-së, nga aspekti teknik institucioni është i gatshëm të shpallë rezultatet, por procesi mbetet i varur nga afati ligjor për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku po rrjedhin 48 orët e parapara për shqyrtimin e tyre. Në rast se paraqiten ankesa, KQZ duhet të presë vendimet përkatëse para certifikimit zyrtar.
Deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve, nuk mund të thirret seanca konstitutive e Kuvendit dhe as të nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe organeve të tjera parlamentare.
Sipas rezultateve përfundimtare të numërimit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 51.11 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6 ulëse.











