#Lajme

KQZ: Deri tani janë procesuar 3,357 nga 5,142 kuti votimi në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për ecurinë e aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), në kuadër të procesit të numërimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 16:00 të ditës së enjte janë verifikuar rezultatet për 1,689 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash, si dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale në 1,668 vendvotime.

Po ashtu, në po aq vendvotime janë numëruar edhe votat e kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.

Në total, nga 5,142 kuti votimi që i përkasin të dy llojeve të zgjedhjeve, deri më tani janë procesuar 3,357 kuti, ka bërë të ditur KQZ-ja.

Aktivitetet në QKN deri më tani janë përmbyllur në 17 komuna, përkatësisht në: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë dhe Dragash.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen tri aktivitete kryesore:

Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë komunash; Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale; Numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.