KQZ certifikon sot kandidatët e 36 subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot, më 21 gusht, nga ora 17:00, mbledhjen e radhës, ku në rend dite është certifikimi i mijëra kandidatëve të 36 subjekteve politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për grupin e katërt të subjekteve politike që certifikohen. Deri më tani, KQZ ka certifikuar gjithsej 58 subjekte politike, prej tyre 31 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, me gjithsej 510 kandidatë, përfshirë 34 kandidatë për kryetarë komunash dhe 476 për kuvende komunale.
Në mbledhjen e sotme pritet gjithashtu të shqyrtohet edhe kërkesa e PZAP-it, e cila ka urdhëruar KQZ-në të certifikojë pjesëmarrjen në zgjedhje të subjektit politik “Lidhja e Prishtinës”.
Në listën e rekomandimeve për certifikim janë disa nga partitë kryesore si LVV, PDK, LDK, AAK, Nisma, si dhe parti të komuniteteve jo-shumicë, përfshirë Lista Serbe, KDTP, IRDK, Nova Demokratska Stranka, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, AKR, Alternativa, PSD dhe të tjera, duke përfshirë edhe disa koalicione si Koalicioni Vakat dhe Naša inicijativa.











