KQZ certifikon grupin e tretë me 39 subjekte politike dhe 380 kandidatë për zgjedhjet lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale.
Në mbledhjen e së shtunës, KQZ miratoi certifikimin e grupit të tretë me gjithsej 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur.
Në rend dite ishte edhe iniciativa qytetare “Lidhja e Prishtinës” me 56 kandidatë për Kuvendin Komunal të Prishtinës, por ajo nuk u certifikua pasi nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave. Kundërshtimi u bë nga përfaqësuesi i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, i cili vlerësoi se emërtimi i saj është shumë i ngjashëm me atë të partisë së tij.
Po ashtu, nga rendi i ditës u tërhoq edhe subjekti “Lëvizja për bashkimin e shqipëtarëve”, pas kërkesës që të korrigjohet një gabim gjuhësor në emërtim.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në këtë grup janë certifikuar gjithsej 380 kandidatë – 25 për kryetarë komunash dhe 355 për kuvendet komunale.












