#Lajme

KOSTT ngre dyshime për manipulim të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë

Operatori i Sistemit të Transmisionit, KOSTT, ka ngritur dyshime serioze për manipulim të çmimit të energjisë elektrike të importuar për Kosovën, në kuadër të hetimeve të nisura në sektorin e energjetikës.

Sipas raportit të KOSTT-it, ekspertët kanë identifikuar indikacione se gjatë vitit 2025, në ankandet e organizuara nga SEECAO, kanë bashkëpunuar kompania “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”, ndërmarrje në pronësi të shtetit serb. Dyshohet se ky bashkëpunim ka pasur për qëllim manipulimin e sistemit të ankandeve, duke rritur kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën.

Raporti thekson se gjatë vitit 2025, në dhjetëra raste, “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije” kanë marrë pjesë si ofertues të vetëm në ankandet për shitblerjen e kapaciteteve të linjave të transmisionit me destinacion Kosovën.

Sipas Buletinit Ekonomik, kjo situatë ka kufizuar konkurrencën dhe ka ndikuar në rritjen e kostove për importin e energjisë elektrike, duke shkaktuar pasoja financiare për sistemin energjetik të Kosovës. Hetimet në këtë çështje pritet të vazhdojnë.