KOSTT ndan 400 mijë euro për sigurimin shëndetësor dhe aksidental të punëtorëve
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka ndarë afro 400 mijë euro për sigurimin shëndetësor dhe aksidental të punonjësve të saj. Kontrata është nënshkruar me kompaninë e sigurimeve “Eurosig”, pas përfundimit të procedurave të tenderimit ku kishin konkurruar pesë kompani, dhe është përzgjedhur oferta më e favorshme.
Vlera e kontratës arrin në 391,809 euro dhe do të jetë e vlefshme për një periudhë trevjeçare, nga data 30 shtator 2025 deri më 29 shtator 2028.
Nga ky sigurim do të përfitojnë 364 punonjës të KOSTT-it, të cilëve do t’u mbulohet në mënyrë të plotë sigurimi shëndetësor dhe ai aksidental. Përfitimet përfshijnë:
Kompensim në rast paaftësie për punë si pasojë e aksidenteve brenda ose jashtë orarit të punës, në çdo kohë të ditës. Kompensim për familjarët në rast të vdekjes së punonjësit si pasojë e aksidentit, para mbërritjes në moshën e pensionimit (65 vjeç). Mbulim 100% ose 80% të disa shërbimeve shëndetësore, sipas kushteve të kontratës.
Kjo masë vjen si përkushtim i KOSTT-it për të përmirësuar mirëqenien dhe sigurinë e stafit të saj.















