#Kosova #Lajme

Kosovë: Mbi 13 mijë lindje në gjashtëmujorin e parë të vitit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të reja mbi natalitetin, sipas të cilave nga janari deri në qershor 2025 janë regjistruar gjithsej 13 mijë e 250 lindje.

Sipas statistikave, numri i meshkujve vazhdon të mbetet më i lartë – gjatë kësaj periudhe kanë lindur 6 mijë e 933 djem dhe 6 mijë e 317 vajza.

Vetëm në muajin qershor janë regjistruar 2 mijë e 544 lindje brenda dhe jashtë vendit, prej tyre 1 mijë e 338 meshkuj dhe 1 mijë e 206 femra. Krahasuar me muajin maj 2025, numri i lindjeve ka shënuar rritje prej rreth 8 për qind.

ASK thekson se këto të dhëna janë bazuar në regjistrimet administrative për muajin qershor.