#Lajme

Kosova në rrezik të humbë fonde nga Plani i Rritjes së BE-së

Mosratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare në seancën e 19 nëntorit ka ngritur rrezikun që Kosova të humbasë mbi 200 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së. Për miratim duhen 80 vota, ndërsa në Kuvend votuan vetëm 48 deputetë, me opozitën që akuzoi Vetëvendosjen për zvarritje të proceseve.

Plani i Rritjes, që përfshin 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për Ballkanin Perëndimor, i garanton Kosovës rreth 900 milionë euro. Megjithëse vendi ka miratuar agjendën e reformave, pagesat nuk mund të kërkohen pa hyrjen në fuqi të marrëveshjeve. BE-ja ka paraparë një afat shtesë prej dy vitesh, çka nënkupton se një pjesë e fondeve mund të humbin në qershor 2026, siç ka paralajmëruar komisionarja Marta Kos.

Në rrezik janë edhe mbi 90 milionë euro të Bankës Botërore, me interes zero për 12 vjet, ndërsa afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes është 13 shkurti 2026. Me Kosovën në prag të zgjedhjeve, përmbushja e këtyre afateve mbetet sfidë për legjislaturën e re.