#Botë

Kosova bëhet pjesë e institucionit të parë të BE-së – anëtarësohet në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC)

Kosova është pranuar për herë të parë në një institucion të Bashkimit Evropian, duke u bërë pjesë e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC). Ky organ këshillëdhënës, që përfshin përfaqësues nga shoqëria civile, sindikatat dhe organizatat ekonomike, vendosi të zgjerojë përfshirjen edhe për Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim në BE.

EESC ka hapur thirrjen për kandidatë nga Kosova, me afat aplikimi deri më 24 tetor 2025. Përfaqësuesit e përzgjedhur do të marrin pjesë në punimet e Komitetit në mënyrë të barabartë me kolegët nga vendet e tjera, por pa të drejtë vote.

Ky vendim vjen pas konsultimeve me Komisionin Evropian, duke tejkaluar pengesën formale që më herët kishte përjashtuar Kosovën nga nisma. Vitin e kaluar, anëtarë të EESC-së u bënë Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina.