Konstituohet Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, zgjidhet udhëheqësia e re
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve, ku ky këshill u konstitua dhe zgjodhi kryetaren Anita Kadriu dhe nënkryetaren Edi Gaxha Puka për të drejtuar punën e Këshillit në mandatin e ardhshëm.
Nagavci falënderoi anëtarët për angazhimin dhe përgjegjësitë që bartin, duke vlerësuar kontributin e tyre në proceset e licencimit, të cilat janë thelbësore për funksionimin dhe zhvillimin e sistemit të arsimit parauniversitar. Ajo theksoi se roli i Këshillit mbetet kyç në sigurimin e standardeve profesionale të mësimdhënësve dhe se deri tani ka vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke përballuar sfida ligjore dhe ndërinstitucionale.
Ministrja shtoi se disa sfida burojnë nga legjislacioni aktual, çështjet ndërinstitucionale dhe kufizimet financiare, por MASHTI do të vazhdojë ta mbështesë Këshillin për të siguruar që proceset e licencimit të jenë efikase, transparente dhe në shërbim të rritjes së cilësisë në arsim.
Anëtarët e Këshillit shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë.










