Konfiskohet mbi 266 kg eksploziv në pikën kufitare të Vermicës
Një sasi e madhe lënde plasëse është sekuestruar sot në pikën kufitare në Vermicë, rreth orës 17:10, gjatë një kontrolli të detajuar ndaj një furgoni me targa vendore, i drejtuar nga një shtetas kosovar.
Gjatë kontrollit, policia ka zbuluar dhe konfiskuar 266.58 kilogramë lëndë eksplozive, disa detonatorë elektrikë, fitila emulex me peshë 800 gramë, 20 fitila të tjerë shtesë dhe gjashtë tuba me tela elektrikë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar origjinën dhe destinacionin e materialit të rrezikshëm.











