Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar dy afate kyçe për subjektet politike që synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas vendimit të KQZ-së, nga 24 deri më 30 nëntor subjektet politike duhet të dorëzojnë online aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje. Paralelisht, nga 24 nëntori deri më 7 dhjetor, ato mund të paraqesin edhe listat me kandidatët për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se për shkak të periudhës së shkurtuar prej 37 ditësh që i është lënë institucionit për organizimin e procesit zgjedhor, janë reduktuar edhe afatet për aplikim dhe certifikim.
Ai sqaroi se formulari për aplikim është i njëjtë me atë të zgjedhjeve të kaluara dhe plotësohet online përmes platformës së KQZ-së, ndërsa të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit të kritereve ligjore.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt, KQZ kishte certifikuar 28 subjekte politike me gjithsej 1,279 kandidatë për deputetë.











