#Lajme

Komisionerë zgjedhorë ndalohen për 48 orë për dyshime për falsifikim të votimit në Malishevë

Në kuadër të hetimeve për dyshime mbi falsifikimin e rezultatit të votimit, Prokuroria e Shtetit ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj disa komisionerëve zgjedhorë, të cilët dyshohen për manipulim të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Rasti lidhet me një incident të ndodhur më 23 janar 2026, rreth orës 08:30, në komunën e Malishevës. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Sektori Rajonal i Hetimeve – DRP Gjakovë ka intervistuar gjithsej 59 persona, të gjithë në cilësinë e komisionerëve zgjedhorë.

Pas intervistimit dhe analizimit të provave të mbledhura, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të 15 personave, ndërsa të tjerët janë liruar për t’u proceduar në gjendje të rregullt.

Personat e ndaluar për 48 orë janë:
E.K., D.Z., A.H., A.K., K.P., F.K., N.B., N.G., K.B., E.H., E.K., B.M., E.H., A.K. dhe N.K.

Të gjithë të ndaluarit janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës, ndërsa rasti po trajtohet në koordinim të plotë ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë kompetente.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se ky rast përbën vetëm një pjesë të një hetimi më të gjerë, i cili përfshin edhe rajone të tjera të vendit. Në ditët në vijim nuk përjashtohet mundësia e ndërmarrjes së masave të reja procedurale, përfshirë ndalime shtesë dhe sekuestrim të materialeve relevante.

Hetimet për falsifikim të rezultatit të votimit janë në vazhdim.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *