#Lajme

Komandanti i KFOR-it: Siguria e qëndrueshme në Kosovë kërkon zgjidhje politike, jo ushtarake

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, në raportimin e tij para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, ka theksuar se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme në Kosovë nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes zgjidhjeve politike.

Ai u shpreh se situata aktuale në Kosovë është e qëndrueshme, megjithëse mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të përshkallëzimit për shkak të çështjeve të pazgjidhura. Barduani vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit, parandalimin e incidenteve dhe krijimin e kushteve për përpjekjet diplomatike.

Duke rikujtuar mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai nënvizoi se të dyja palët duhet të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të tregojnë fleksibilitet për kompromis.

Komandanti i KFOR-it përmendi gjithashtu forcimin e misionit, përfshirë dërgimin e përkohshëm të forcave rezervë dhe bashkëpunimin e thelluar me bashkësinë ndërkombëtare, institucionet e sigurisë në Kosovë dhe Forcat e Armatosura Serbe.

“KFOR-i po e zbaton mandatin e tij, të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke garantuar një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet dhe lirinë e lëvizjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX”, thuhet në njoftim.

Komandanti i KFOR-it: Siguria e qëndrueshme në Kosovë kërkon zgjidhje politike, jo ushtarake

Edon Zhegrova për herë të parë në