KMDLNj bën thirrje për protesta kundër rritjes së çmimeve të ujit dhe energjisë elektrike
Viti 2026 ka nisur me rritje të reja çmimesh për qytetarët e Kosovës. Nga muaji janar, faturat e ujit pritet të rriten deri në 40 për qind, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike, në një kohë kur gjendja ekonomike e familjeve dhe bizneseve mbetet e vështirë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, duke vlerësuar se faturat aktuale tashmë janë të papërballueshme për shumicën e qytetarëve. Sipas kësaj organizate, paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rishikimin e çmimit të rrymës po ndodh në një moment kritik, kur familjet dhe bizneset po përballen me kosto të larta dhe rrezik falimentimi.
Në reagimin e saj, KMDLNj akuzon institucionet për mungesë të vullnetit për mbrojtjen e interesit publik, duke pretenduar se konsumatorët po penalizohen, ndërsa mbrohen interesa të caktuara ekonomike. Organizata thekson se rritja e çmimeve të ujit dhe energjisë do të shkaktojë pasoja zinxhirore në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve bazike për jetesë.
KMDLNj vlerëson se, ndonëse faturat e ujit dhe mbeturinave mund të jenë ende relativisht të përballueshme, situata me energjinë elektrike është alarmante, pasi faturat e rrymës po rëndojnë ndjeshëm buxhetet familjare dhe biznesore.
Për këtë arsye, KMDLNj ka bërë thirrje për reagim qytetar, duke ftuar protesta masive kundër rritjes së çmimeve. Organizata u ka bërë thirrje qytetarëve që të kundërshtojnë shtrenjtimet përmes protestave dhe veprimeve qytetare ndaj institucioneve përkatëse.
Po ashtu, KMDLNj ka ftuar partitë politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, që të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të kërkojnë transparencë lidhur me inkasimin e energjisë, veçanërisht në veri të Kosovës, si dhe për dallimet në çmimin e energjisë elektrike.
Në përfundim, organizata paralajmëron se mungesa e reagimit institucional dhe qytetar mund ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen sociale dhe ekonomike në vend, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës dhe qëndrueshmërinë e bizneseve.











