#Lajme

KFOR dhe BE nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim në raste emergjente

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, Aivo Orav, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi që parasheh mbështetje dhe asistencë në rast zhvendosjesh apo evakuimesh gjatë situatave kritike.

Me këtë marrëveshje, KFOR-i dhe Zyra e BE-së formalizojnë procedurat që rrisin koordinimin dhe qartësojnë rolet për një reagim më të shpejtë dhe të bashkërenduar në terren. Memorandumi thekson përkushtimin për rritjen e gatishmërisë, stabilitetit dhe sigurisë, sidomos në rrethana sfiduese.

“KFOR-i mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të KS-OKB-së, për të garantuar një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në njoftim.