Këshilli Shqiptaro-Amerikan: Po punojmë që SHBA të marrë rolin udhëheqës në dialogun Kosovë–Serbi
Anëtari i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Gino Mulliqi, ka deklaruar se përfshirja e presidentit amerikan Donald Trump në çështjen Kosovë–Serbi është një sinjal pozitiv për shqiptarët dhe një mundësi për rikthimin e Shteteve të Bashkuara si aktor kyç në procesin e dialogut.
Në një intervistë për Klan Kosova, Mulliqi tha se shqiptaro-amerikanët janë duke punuar në mënyrë aktive që SHBA të marrë një rol udhëheqës në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Fakti që presidenti Trump ka filluar të flasë për marrëveshjen Kosovë–Serbi dhe ndaljen e konfliktit është një sinjal pozitiv për ne,” theksoi Mulliqi.
Ai shtoi se është koha që SHBA të rikthehet në tavolinën e negociatave: “Ne si komunitet shqiptaro-amerikan po angazhohemi që Amerika të marrë rolin primar në këtë proces dhe të udhëheqë negociatat Kosovë–Serbi.”











