Këshilla për mbrojtje nga nxehtësia ekstreme – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës jep rekomandime
Këshilla për mbrojtje nga nxehtësia ekstreme – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës jep rekomandime
Vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin këto ditë po rrezikon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Temperaturat e larta, të cilat zgjasin ditë e natë, mund të shkaktojnë rraskapitje, goditje nga nxehtësia dhe përkeqësim të gjendjeve shëndetësore ekzistuese.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandon masat e mëposhtme për mbrojtje nga nxehtësia:
Qëndrimi larg të nxehtit:
– Shmangni daljet dhe aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
– Qëndroni në hije dhe kaloni disa orë në ambiente të freskëta.
– Informohuni rregullisht për paralajmërimet zyrtare mbi temperaturat ekstreme.
Freskimi i shtëpisë:
– Hapni dritaret gjatë natës për të përfituar nga ajri më i freskët.
– Mbyllni dritaret dhe përdorni perde gjatë ditës për të ndaluar rrezet e diellit.
– Përdorni ventilatorë vetëm nëse temperatura është nën 40 gradë Celsius.
– Nëse përdorni kondicioner, mbajeni në 27 gradë dhe përdorni ventilator për të përmirësuar freskinë.
Mbajtja e trupit të freskët dhe të hidratuar:
– Vishuni me rroba të lehta dhe pambuku.
– Pini ujë rregullisht, të paktën një gotë në orë dhe 2-3 litra në ditë.
– Bëni dush të freskët ose lagni lëkurën për të ulur temperaturën trupore.
– Kujdesuni për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata që jetojnë vetëm.
Mbrojtja e foshnjave dhe fëmijëve:
– Mos lini kurrë fëmijët apo kafshët në makina të parkuara.
– Shmangni ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në 17:00.
– Vishni fëmijët me rroba të lehta, përdorni kapele, syze dielli dhe krem mbrojtës.
– Mos mbuloni karrocën e fëmijës me pëlhurë të thatë, përdorni pëlhurë të lagur dhe freskojeni herë pas here.
Instituti apelon që këto rekomandime të ndiqen me kujdes për të parandaluar rreziqet shëndetësore nga nxehtësia ekstreme dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.











