Kërkohet paraburgim për dy persona në Gjakovë për shitblerje narkotikësh
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave me inicialet L.B. dhe A.Sh., të dyshuar për veprën penale të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve.
Sipas Prokurorisë, më 13 shtator 2025, rreth orës 23:15, në rrugën “Hysni Dobruna” në Gjakovë, i pandehuri L.B. u kap në automjetin “Citroen C2”, ku u gjet një qese me 2.36 gram marihuanë. Pas bastisjes së banesës së tij, policia gjeti edhe 58.13 gram marihuanë dhe 35 euro para të gatshme.
Ndërkohë, më 14 shtator 2025, rreth orës 00:25, në rrugën “Aqif Blyta” në Gjakovë, gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit A.Sh., hetuesit gjetën 0.84 gram dhe 7.78 gram marihuanë, një peshore digjitale si dhe 190 euro para, të cilat u sekuestruan.
Të dy të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.










