KEK rikthen në operim Njësinë B2, përmirësohet stabiliteti energjetik
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se Njësia B2 është rikthyer me sukses në operim, pas përfundimit të sanimeve dhe ekzaminimeve të planifikuara të pajisjeve kryesore. Sipas njoftimit zyrtar, procesi është zhvilluar në përputhje me planin dhe dinamikën e paraparë.
Njësia B2 është startuar dhe sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe duke kontribuar në stabilitetin e sistemit energjetik të vendit.
Nga KEK-u është theksuar se ky sukses dëshmon përkushtimin për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe profesionalizmin e ekipeve teknike dhe menaxhuese në realizimin në kohë të ndërhyrjeve preventive dhe riparimeve të nevojshme.
Korporata ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për angazhimin dhe profesionalizmin, duke nënvizuar se rifillimi i operimit të Njësisë B2 është realizuar pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.
Ndërkohë, të martën në orët e mëngjesit, disa pjesë të vendit janë përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KESCO) ka njoftuar se këto reduktime kanë ardhur si pasojë e kushteve të vështira dimërore, temperaturave të ulëta dhe rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë për ngrohje.










