Katër raste të dhunës në familje brenda një dite – disa të arrestuar në qytete të ndryshme
Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje të ndodhura brenda 24 orëve të fundit në disa qytete të vendit. Në të gjitha rastet janë ndërmarrë veprime policore, ndërsa disa persona janë arrestuar.
Në Istog, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, ka sulmuar një person tjetër me një mjet të mprehtë. Ngjarja ka ndodhur më 14 korrik, rreth orës 23:55. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në një tjetër rast në Pejë, janë arrestuar dy persona – një mashkull dhe një femër – pas një përleshjeje mes tyre. Gjatë incidentit janë lënduar dy viktima të tjera, një mashkull dhe një femër. Të gjithë të përfshirët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit është ndaluar me vendim të prokurorit.
Në Rahovec, më 15 korrik, është raportuar për një sulm ndaj një gruaje nga një burrë. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Ndërkohë në Malishevë, një grua është sulmuar nga dy burra. Policia ka arrestuar të dyshuarit, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
Policia vazhdon hetimet lidhur me të gjitha rastet.











