Katër ankesa në proces shqyrtimi nga PZAP për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 9 janar ka përmbyllur procesin e numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.
Në lidhje me këto zgjedhje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se aktualisht janë katër ankesa në proces shqyrtimi. Në një përgjigje për Telegrafin, PZAP ka konfirmuar se ankesat po trajtohen në përputhje me kompetencat ligjore dhe se vendimet do të merren brenda afateve të përcaktuara nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullorja e PZAP-së.
Ndërkohë, të premten mbrëma, PZAP ka refuzuar si të paafatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20 mijë votave të ardhura me postë nga mërgata. PDK kishte kërkuar që këto vota të shpalleshin të pavlefshme, duke argumentuar se ishin dërguar pas afatit ligjor.
Sipas rezultateve preliminare, zgjedhjet janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave, që përkthehen në 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës është renditur e dyta me 20.19 për qind të votave ose 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.23 për qind të votave dhe 15 mandate deputetësh. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave, duke siguruar gjashtë ulëse në Kuvend.











