Kanosje ndaj gazetarëve, një person arrestohet në Gjilan
Prokuroria Themelore në Gjilan, përmes Departamentit të Përgjithshëm dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar një person me inicialet A.I., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, i dyshuari A.I. dyshohet se më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore, iu është drejtuar në mënyrë kërcënuese ekipit të Gazetës Nacionale dhe monitoruesit të organizatës “Betimi për Drejtësi”. Veprimet kërcënuese janë dokumentuar edhe përmes video-incizimeve nga kamerat.
Pas autorizimit të Prokurorisë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, dhe meqenëse i dyshuari ishte i paarritshëm, ai ishte shpallur në kërkim policor. Më 3 shkurt 2026, i njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, do të vendosë për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.








