#Lajme

Kanoset zyrtari komunal në Podujevë pas rrënimit të një vile pa leje

Një zyrtar i Komunës së Podujevës është kanosur pas një aksioni për rrënimin e një objekti të ndërtuar pa leje në fshatin Orllan.

Sipas burimeve të afërta me hetimin, A.A., rreth 62 vjeç, Shef i Inspeksionit në Komunën e Podujevës, ka raportuar në polici se është kërcënuar me jetë përmes telefonit nga M.D, rreth 37 vjeç.

Në deklaratën e tij, A.A. ka thënë se i dyshuari i ka thënë: “M’i ki borxh 10 mijë euro, ose përndryshe të vij te shpija.”

Ngjarja dyshohet se lidhet me rrënimin e një vile pa leje ndërtimi, ku gjatë intervenimit, makineria komunale kishte hyrë në pronën e të dyshuarit duke shkaktuar dëme materiale – çka besohet të ketë nxitur reagimin e tij.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa prokurori kujdestar e ka kualifikuar rastin si “Kanosje” dhe ka urdhëruar që ai të lirohet në procedurë të rregullt.