Kadri Kryeziu u bën thirrje partive politike: Të lihen mënjanë dallimet dhe të miratohet buxheti për vitin 2026
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka bërë thirrje për unitet politik dhe përgjegjësi institucionale, duke kërkuar nga partitë politike që të tejkalojnë ndasitë dhe të sigurojnë miratimin e buxhetit shtetëror për vitin 2026.
Në një postim në rrjetet sociale, Kryeziu ka apeluar që të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku me shumicë të gjerë të votohet buxheti i ri.
“Partitë politike shqiptare duhet të merren vesh së paku për një gjë: ta thërrasin një seancë të jashtëzakonshme dhe me minimum 80 vota ta aprovojnë buxhetin e vitit 2026,” ka shkruar ai.

Thirrja e Kryeziut vjen në një moment të ndjeshëm politik, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë qeverinë e re të propozuar nga Albin Kurti në seancën e së dielës, më 26 tetor. Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, LVV-GUXO-Alternativa, nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e ekzekutivit — me 56 vota për, 48 kundër dhe katër abstenime.
Ky dështim mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe, sipas ekspertëve, rrezikon të shkaktojë edhe krizë ekonomike, për shkak të pamundësisë për të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, Kuvendi ka njoftuar se të enjten do të mbahet mbledhja e Kryesisë, me rend dite që përfshin: konsultimet për funksionalizimin e trupave punuese, diskutimin për miratimin e buxheteve komunale të Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe çështje të tjera të ndryshme.










