#Lajme

Jetonte në Serbi, arrestohet një shqiptar në Prishtinë për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë, ka arrestuar sot në Prishtinë R.M. – Ramadan Morinën, i dyshuar për “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas hetimeve, Morina dyshohet se më 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me forca policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës.

I arrestuari jetonte në Serbi dhe punonte si taksist. Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

Brenda afateve ligjore, Prokuroria Speciale do të kërkojë nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti Special, caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.