Jasharaj kritikon Qeverinë Kurti: S’kishin vullnet për dialog, greva në shtator nuk përjashtohet
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Albin Kurtit për mungesë të dialogut me sindikatën gjatë katër viteve të fundit, duke e cilësuar këtë periudhë si ndër më të vështirat për mësimdhënësit.
Në një konferencë për media, Jasharaj tha se Qeveria refuzoi vazhdimisht bashkëbisedimin, ndërsa ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, tregoi mungesë të gatishmërisë për komunikim.
Ai paralajmëroi se nëse qeveria e re ndjek të njëjtën qasje, SBASHK nuk përjashton protesta apo grevë të përgjithshme që në shtator.
“Kongresi na ka autorizuar të reagojmë sipas zhvillimeve në terren,” theksoi Jasharaj.
Ndër kërkesat kryesore mbetet rritja e koeficientit të pagave, që sipas tij, nuk është rritur as sa inflacioni që nga janari i vitit 2024.











