James Rubin vazhdon dëshminë në Gjykatën Speciale
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij si dëshmitar i parë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Rubin, i cili gjatë viteve 1997–2000 ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor i Departamentit të Shtetit, ka theksuar se forcat serbe janë përpjekur të mbulojnë krimet e tyre duke ia atribuar fajin UÇK-së.
Ai ka deklaruar se Thaçi nuk ka pasur as autoritetin, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime ushtarake, duke e përshkruar atë si figurë politike dhe jo ushtarake. Sipas tij, pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së nuk qëndrojnë. Rubin ka mohuar gjithashtu se refuzimi fillestar i Thaçit për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë lidhej me çështjen e çarmatosjes së UÇK-së, duke theksuar se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO dhe miratimin e Adem Demaçit.
Në dëshminë e tij, Rubin ka akuzuar diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri ndaj UÇK-së, ndërsa ka theksuar se nuk ka parë asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të kenë qenë të përfshirë në vrasje apo ekzekutime, duke i cilësuar akuzat si të fabrikuara.
Deklaratat e tij janë pritur me reagime të shumta politike në Kosovë. PDK dhe OVL-UÇK e kanë vlerësuar dëshminë si mbështetje për drejtësinë e luftës çlirimtare. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti Rubin “mik të madh të Kosovës”, ndërsa Vlora Çitaku e përshkroi Thaçin si figurë të papërsëritshme që afroi UÇK-në me Perëndimin. Analistë si Agon Maliqi dhe Lulzim Peci e cilësuan dëshminë dokument historik e ligjëratë mbi realitetin e kohës së luftës. Nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti falënderoi SHBA-në për mbështetjen ndaj UÇK-së, ndërsa Alban Krasniqi nga LVV theksoi se Rubin nxori në pah rolin e Agim Çekut si udhëheqës ushtarak të UÇK-së.










