#Lajme

James Rubin nis dëshminë në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit dhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit, James Rubin, ka filluar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ai është betuar se do të thotë të vërtetën dhe pritet të flasë për raportet e tij me Thaçin, përvojën në Kosovë dhe rolin e UÇK-së gjatë luftës.

Rubin, i njohur si njeriu më i afërt i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, kishte pasur kontakte të ngushta me Thaçin në Konferencën e Rambujesë. Sipas ambasadorit Christopher Hill, afërsia mes tyre ishte e tillë që Rubin shpesh e këshillonte Thaçin edhe në detaje të vogla, si zgjedhja e kravatës.

Në një podcast para dëshmisë, Rubin kishte paralajmëruar se do të ndante kujtime e detaje të rëndësishme lidhur me rolin e tij dhe me procesin e paqes në Kosovë. Ai ka kujtuar se fillimisht SHBA e kishte dënuar aktivitetin e grupeve shqiptare, por më pas UÇK-ja u shndërrua në faktor kyç të procesit të paqes. Vendimi i Thaçit për të pranuar marrëveshjen e Rambujesë, sipas tij, i hapi rrugë mbështetjes së NATO-s ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Rubin ka theksuar se marrëdhënia e ngushtë mes UÇK-së dhe aleatëve perëndimorë bëri të mundur shmangien e një masakre të madhe, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment vendimtar për lirinë e Kosovës.

Përveç Rubin, në mbrojtje të Thaçit pritet të dëshmojnë edhe diplomatë dhe figura të tjera të njohura ndërkombëtare. Procesi gjyqësor pritet të marrë epilog në fillim të vitit të ardhshëm, më shumë se pesë vjet pas nisjes.