#Lajme

Jahjaga mohon raportimet për lidhje me dosjen “Epstein”: Janë të pabaza dhe të pavërteta

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar për herë të parë ndaj raportimeve që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pavërteta dhe të pabaza.

Përmes një postimi në Facebook, Jahjaga ka theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo kontakti me personin në fjalë.

Ajo ka sqaruar se përmendja e emrit të saj në raportimet mediatike lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila, sipas saj, nuk dëshmon asnjë takim, lidhje apo raport personal me të. Jahjaga ka theksuar se emri i saj nuk figuron në asnjë dokument të publikuar.

Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se në emailin e përmendur nga palët e treta citohet “presidenti i Kosovës”, pa u saktësuar se për cilin president bëhet fjalë dhe pa ndonjë kërkesë për takim në emër të tij apo të saj.

“Çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim i opinionit publik”, ka shkruar Jahjaga, duke shtuar se kjo vërehet qartë nga dokumentet e publikuara.

Në fund, ish-presidentja ka kërkuar që ky sqarim të publikohet nga mediat që kanë përmendur emrin e saj, duke theksuar se në asnjë rast nuk e ka njohur, takuar apo kërkuar takim me personin në fjalë, në asnjë pozitë që ka mbajtur deri më tani.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *