IT-ja, në mesin e të dyshuarve për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK-së
Policia e Kosovës ka ndaluar 11 persona të dyshuar lidhur me shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në oborrin e QKUK-së, ku cak ishte vetura e drejtorit të atëhershëm, O.H.
Në mesin e të arrestuarve është edhe F.H., i cili ka punuar si IT në QKUK deri në momentin e arrestimit, sipas burimeve. QKUK ende nuk ka konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.
F.H. ishte akuzuar më parë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në lidhje me një projekt për montimin e kamerave në QKUK, ku sipas aktakuzës raporte të rreme kishin paraqitur se aktiviteti ishte përfunduar në dhjetor 2020, ndërsa disa pajisje u dorëzuan vetëm në shtator 2021, duke shkaktuar dëm buxhetor mbi 104 mijë euro.
Megjithatë, më 17 shtator të vitit të kaluar, F.H. dhe dy të tjerët u liruan nga akuzat pasi gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme për kryerjen e veprës penale. Hetimet për shpërthimin e veturës së drejtorit vazhdojnë.











