Islam Selmani nënkampion bote në karate, arrin sukses historik për Kosovën
Karateisti kosovar Islam Selmani ka shkruar histori në Kampionatin Botëror të Karatesë që po mbahet në Kajro, duke u shpallur nënkampion i botës në kategorinë deri në 60 kilogramë. Në finalen e madhe ai u përball me turkun Eray Samdan, një nga sportistët më të suksesshëm në këtë disiplinë, ku pas një përballjeje të fortë Selmani u rendit i dyti dhe siguroi medaljen e argjendtë.
Një ditë më parë, Selmani siguroi kualifikimin në finale pas një fitoreje bindëse 9:1 ndaj Mekhriddin Turakhonovit nga Uzbekistani në gjysmëfinale.
Rezultati e bën Selmanin karateistin e parë nga Kosova që fiton medalje të argjendtë në një Kampionat Botëror, duke shënuar një nga arritjet më të mëdha në historinë e sportit kosovar.











