#Botë

Ish-ambasadori holandez: Gjykata Speciale në Hagë po i shërben Serbisë, jo drejtësisë

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale në Hagë, duke thënë se ajo nuk po funksionon si një mekanizëm i drejtësisë, por po i shërben Serbisë.

Gjatë një fjalimi të mbajtur në protestën e së dielës në Hagë, Bosch theksoi se krijimi i kësaj gjykate nuk është perceptuar si një përpjekje e sinqertë për drejtësi. Ai kujtoi përfshirjen e tij që nga viti 2010 dhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare në proceset e paqes në Kosovë, duke shtuar se tashmë dihet se presidenti serb Aleksandar Vuçiç është i lidhur ngushtë me Rusinë dhe Kinën, jo me Evropën.

Sipas tij, Kosova po bart vazhdimisht përgjegjësinë për marrëveshjet me Serbinë, ndërkohë që individë përgjegjës për krimet e viteve ’90 mbajnë ende pozita të larta në Serbi. Bosch tha se raportet që flasin për krime të supozuara nga ish-presidenti Hashim Thaçi nuk përmendin asnjë përgjegjësi për serbët, edhe pse krimet kryesore, siç theksoi ai, janë kryer nga ta.

“Ka shumë fajtor që sot janë në pozita të rëndësishme, ndërkohë që kanë qenë kriminelët kryesorë në vitet ’90. Kjo nuk është një gjykatë objektive, por një gjykatë për t’i shërbyer Serbisë”, deklaroi Bosch.