#Lajme

IPK nis hetimet pas ankesave për reagimin policor në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka pranuar një ankesë dhe informacione lidhur me reagimin e policisë në Qendrën Komunale të Numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar veprimet paraprake hetimore për të verifikuar pretendimet se disa zyrtarë policorë kanë vepruar pa autorizimin e prokurorit kompetent.

Nga hetimet fillestare dyshohet se gjatë reagimit në Qendrën e Numërimit nuk janë respektuar disa nga procedurat e përcaktuara në Planin Operativ të Policisë së Kosovës për procesin zgjedhor.

IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe në konsultim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.