IPK hap zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut – Vlerësohet si hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka hapur sot zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut, në një ceremoni të veçantë ku morën pjesë ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Erden Atiq, si dhe përfaqësues nga ARC-ja, Policia e Kosovës dhe IPK-ja.
Zyrat e reja ndodhen në “Lagjen e Boshnjakëve”, në rrugën “Çlirimi”, në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ato zëvendësojnë zyrat e mëparshme të IPK-së, të cilat funksiononin që nga viti 2015 në një objekt me qira në rrugën “Mbreti Peter”.
Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të IPK-së dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Ministri Sveçla theksoi se ky zhvillim do të ndikojë në rritjen e integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës në këtë pjesë të vendit.
Kryeshefi Hodaj falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se zyrat e reja do të ndihmojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.
Zyrat e IPK-së do të jenë të hapura për qytetarët nga e hëna deri të premten, prej orës 08:00 deri në 16:00.










