Inspektorati i Punës konstaton shkelje në KRU Mitrovica pas lëndimit të rëndë të një punëtori – Nisin hetimet për vepër penale
Një punëtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A. ka pësuar lëndime të rënda trupore më 5 qershor 2025, gjatë punës në stacionin e pompave në rrugën “Kollashini” në Mitrovicën e Veriut. Viktima, A.H., rreth 64 vjeç, u lëndua rëndë në gishtin e unazës të dorës së majtë, i cili, sipas mjekëve, ishte pranë amputimit.
Menjëherë pas incidentit u njoftuan Prokurori kujdestar dhe Inspektori i Punës, të cilët nisën hetimet fillestare për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Viktima u trajtua në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicën e Jugut.
Më 15 korrik, Inspektorati i Punës dorëzoi raportin përfundimtar, ku u evidentuan shkelje në protokollet e sigurisë dhe mungesë e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës. Bazuar në këto gjetje, Prokuroria ka urdhëruar nisjen e hetimeve penale ndaj përgjegjësve të kompanisë për veprën “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar përgjegjësit dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në rrezikimin e jetës së punëtorit.











