#Lajme

Inflacioni në rritje, shporta familjare gjithnjë e më e papërballueshme

Rritja e çmimeve po e vështirëson ndjeshëm jetesën e shumë familjeve në Kosovë. Qytetarë nga Prishtina tregojnë se me të ardhurat aktuale mezi po përballojnë nevojat bazike, ndërsa disa detyrohen të heqin dorë edhe nga ushqimi apo ngrohja. Pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta shprehen se gjendja ekonomike është më e rënda që kanë përjetuar.

Të dhënat e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit tregojnë se inflacioni për periudhën janar–nëntor 2025 ka arritur në 5.3 për qind, krahasuar me 1.6 për qind në vitin 2024. Njohës të ekonomisë vlerësojnë se shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe importi i lartë i mallrave kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shumica e produkteve esenciale kanë shënuar rritje, përfshirë bukën, mishin, qumështin, vezët dhe vajin. Ndërkohë, të ardhurat mbeten të ulëta, me pension bazik 150 euro, pagë minimale 350 euro bruto dhe pagë mesatare 639 euro, duke e bërë shportën familjare gjithnjë e më të papërballueshme.