#Ballina #Lajme

Ilir Deda kritikon deklaratën e Osmanit për rrezikun nga Serbia: “A jeni normal? Ku ishte shteti?”

Analisti politik Ilir Deda ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se presidenti amerikan Donald Trump së fundi ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Deda ka ngritur pyetje serioze mbi veprimet e institucioneve vendore, duke kërkuar llogari për mungesën e reagimeve konkrete në rast se Kosova ka qenë vërtet në një situatë të rrezikshme.

“Nëse me të vërtetë paskemi qenë në prag të ‘ndezjes’ me Serbinë, atëherë ku mbeti shteti?”, shkruan Deda, duke përmendur mungesën e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, takimeve me liderë ndërkombëtarë dhe ndonjë reagim zyrtar që do të pasqyronte seriozitetin e situatës.

Ai ka përfunduar reagimin me një pyetje të drejtpërdrejtë për udhëheqësit institucionalë: “A jeni normal? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë shtet?”.