Ikona e Barcelonës vlerëson sulmuesin e Real Madridit: Gonzalo po shfrytëzon çdo shans
Legjenda e futbollit spanjoll, David Villa, ka folur me superlativa për sulmuesin e ri të Real Madridit, Gonzalo Garcia, duke e cilësuar atë si një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme dhe mentalitet fitues.
Në një intervistë për gazetën AS, ish-ylli i Barcelonës dhe përfaqësueses së Spanjës theksoi se 21-vjeçari dallon veçanërisht për aftësinë e tij për të përfituar nga çdo mundësi që i jepet në fushë. Sipas Villas, Garcia ka treguar se është gjithmonë i gatshëm dhe i përgatitur, pavarësisht moshës së re.

Villa u ndal edhe te periudha e vështirë e sulmuesit madrilen, kur minutazhi i tij ishte i kufizuar për shkak të konkurrencës në repartin ofensiv. Ai vlerësoi durimin dhe këmbënguljen e Garcias, duke theksuar se sapo iu dha rasti, ai arriti ta shfrytëzojë maksimalisht.
Në mungesë të Kylian Mbappes për shkak të lëndimit, Gonzalo Garcia u shqua me një paraqitje të shkëlqyer, duke shënuar het-trik në fitoren 5-1 ndaj Real Betisit në kampionat, ndërsa ishte titullar edhe në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit.











