IKD: Veprimet e Agron Qalajt po pengojnë zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, duke vlerësuar se ato po bllokojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Sipas IKD-së, reforma në sistemin prokurorial ishte paraparë të fillonte më 1 janar 2026, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK-në, i cili parasheh zvogëlimin e përbërjes së Këshillit nga 13 në shtatë anëtarë. Në këtë kuadër, gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, përmes një procesi të bazuar në meritokraci, zgjodhën Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në KPK, me mandat që duhej të fillonte në fillim të këtij viti.
IKD thekson se, ndonëse pritjet e publikut kanë qenë që KPK të ndërmarrë hapa konkretë për jetëzimin e reformës dhe forcimin e sundimit të ligjit, veprimet aktuale po tregojnë të kundërtën. Sipas institutit, Qalaj po vazhdon një mendësi të vjetër të qeverisjes së KPK-së, duke u mbështetur në interpretime të pabazuara ligjore për të zvarritur funksionalizimin e Këshillit dhe për të ruajtur një qasje korporatiste brenda sistemit prokurorial.
Në reagimin e tij, IKD kundërshton edhe qëndrimin e Qalajt se propozimi për një anëtar të KPK-së nuk ka marrë votat e mjaftueshme për miratim. Sipas institutit, ky konstatim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249, duke sqaruar se dispozitat kalimtare mbi kuorumin nuk janë më në fuqi dhe se aktualisht zbatohet neni 13 i ligjit, i cili përcakton se kuorumi formohet me pesë anëtarë dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të Këshillit.
IKD vlerëson se në rastin konkret, propozimi ka marrë tre vota pro nga pesë anëtarë të pranishëm, çka sipas ligjit përbën shumicë të thjeshtë dhe duhet të konsiderohet i miratuar. Instituti paralajmëron se ndërhyrje të tilla në procedurat e vendimmarrjes përbëjnë përpjekje për sabotim të reformës përmes shkeljeve të hapura ligjore.
Në fund, IKD ia atribuon përgjegjësinë për situatën Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke i bërë thirrje Agron Qalajt që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, të konstatojë pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025 dhe të kontribuojë në funksionalizimin e plotë të KPK-së. Sipas institutit, respektimi i ligjit dhe procedurës është thelbësor për ruajtjen e integritetit dhe kredibilitetit të sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare.










