#Lajme

IKD publikon raportin: Moszbatimi i vendimeve gjyqësore dhe abuzimi me ushtrues detyre nga Qeveria Kurti

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin mbi qeverisjen e Qeverisë Kurti II, duke theksuar moszbatimin e vendimeve gjyqësore dhe praktikën e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre.

Sipas raportit, shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë kanë mbajtur njëkohësisht pozita deputeti dhe ministër, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë. Gjykata Supreme ka konfirmuar kundërligjshmërinë e kësaj praktike, por Qeveria nuk e ka zbatuar vendimin, madje ka sulmuar publikisht gjyqtarët.

IKD njofton se kjo situatë ka pasojë cenimin e sundimit të ligjit, dëmton imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht dhe mbush rendin juridik me vendime të kundërligjshme. Përveç kësaj, praktika e ushtruesve detyrë për periudha të gjata ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve, ka rritur rrezikun për korrupsion dhe ka dëmtuar meritokracinë.

Raporti vlerëson se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë përjashtim dhe proceset e rekrutimit meritore duhet të respektohen rregullisht. Përgjegjësia penale për shkeljet po shqyrtohet aktualisht nga Prokuroria Speciale.