#Ballina #Lajme

Hoti reagon ndaj Osmanit: Mandatin po e përmbyll pa rezultate, pesë vite demagogji e mashtrime

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentes Vjosa Osmani, e cila në një konferencë për media e quajti atë “tepër jorelevant” dhe tha se nuk dëshiron t’i kushtojë asnjë sekondë.

Në përgjigje, Hoti tha se presidentja po e përmbyll mandatin pesëvjeçar pa asnjë rezultat konkret dhe pa kontribut real për shtetin. Sipas tij, “demagogjia dhe mashtrimet” e Osmanit po dalin në pah.

“Po i mbaron mandati 5‑vjeçar në krye të shtetit të Kosovës pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës. Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë‑mashtruesit,” ka shkruar Hoti.

Ai shtoi se shqetësimi i vërtetë i presidentes nuk është ngërçi institucional, por dorëzimi i mandatit dhe pasojat që, sipas tij, ka shkaktuar në dëm të vendit.