#Lajme

Hoti: Papërgjegjësi në sektorin e energjisë, importi i rrymës afro 1 miliard euro

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar gjendjen e furnizimit me energji elektrike në vend, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe pasojë të keqmenaxhimit shumëvjeçar të sektorit energjetik.

Në një reagim publik, Hoti ka theksuar se gjatë ditës së djeshme janë shënuar ndërprerje të gjata të rrymës në shumë fshatra të komunës së Rahovecit, si dhe në qytet, ku qytetarët kanë mbetur pa energji elektrike për orë të tëra. Sipas tij, probleme të ngjashme mund të jenë të pranishme edhe në rajone të tjera të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se kjo çështje është ngritur vazhdimisht, por pa ndonjë përmirësim konkret, duke akuzuar për papërgjegjësi të plotë në menaxhimin e situatës. Hoti ka kritikuar drejtpërdrejt KEDS-in, duke e cilësuar menaxhimin e furnizimit me energji si të papranueshëm, ndërsa ka përmendur edhe shifrën e lartë të importit të energjisë elektrike, që sipas tij, i afrohet një miliard eurove.