#Lajme

Hoti kritikon qeverisjen Kurti: Duhet ndalur rrëshqitja e Kosovës drejt autokracisë partiake

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së qeverisjes së Kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si rrezik për rrëshqitjen e vendit drejt autokracisë partiake.

Në një postim në Facebook, Hoti ka krahasuar periudhën e qeverisjes së LDK-së me qasjen aktuale, duke theksuar se, ndonëse kishte mospajtime me institucione e grupe të ndryshme, gjithmonë ishte treguar maturi dhe respekt institucional.

Ai ka përmendur marrëdhëniet me Radiotelevizionin e Kosovës, duke thënë se “edhe kur nuk ishim dakord me qëndrimet e tyre, asnjëherë nuk i kemi penalizuar me buxhet apo në forma të tjera”.

Po ashtu, sipas tij, LDK ka pasur qasje bashkëpunuese me komunitetin e bizneseve, Gjykatën Kushtetuese dhe organizatat e shoqërisë civile, duke respektuar vendimet dhe duke intensifikuar dialogun, edhe në rastet e mospajtimeve.

Hoti ka theksuar edhe raportet me aleatët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se LDK kurrë nuk i ka sulmuar publikisht, por ka kërkuar mirëkuptim përmes komunikimit.

“Kështu duhet të sillet një qeveri normale. Përndryshe, vendi rrëshqet në autokraci partiake, siç po ndodh sot. Është obligim i secilit prej nesh, veçanërisht i spektrit politik, ta ndalojë këtë rrëshqitje”, ka deklaruar ai.