#Lajme

Hetime pas deklaratave për tela elektrikë në Liqenin e Ujmanit – nuk u gjet rrezik për qytetarët

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur hetimet lidhur me deklaratat e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili më 30 korrik deklaroi në media se në Liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, që sipas tij paraqesin rrezik për qytetarët.

I njëjti është intervistuar nga policia në cilësinë e dëshmitarit dhe ka sqaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, sipas tij, nëse aktivizohen, mund të jenë të rrezikshëm. Në kuadër të hetimeve, policia ka pranuar edhe një video lidhur me rastin.

Pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka dalë në terren dhe ka konstatuar se telat nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik. Policia ka theksuar gjithashtu se deri më tani nuk është raportuar ndonjë rast tjetër lidhur me këtë çështje.

Pas analizimit të provave dhe informacioneve të grumbulluara, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka vlerësuar se nuk ka elemente të ndonjë vepre penale.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të mos ndihen të frikësuar, duke siguruar se çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me seriozitet. Njësitë e Kontrollit Kufitar Ujor vazhdojnë patrullimet e rregullta në Liqenin e Ujmanit për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbikëqyrur situatën në terren.