#Botë

Heqja e masave nga BE-ja para zgjedhjeve? Nuk duket e mundur në perspektivë

Pavarësisht transferimit të pushtetit lokal në katër komunat e veriut, një zhvillim i mirëpritur nga faktorët ndërkombëtarë dhe një kusht kyç për heqjen e masave, Bashkimi Evropian duket se nuk është ende i gatshëm të ndërmarrë këtë hap, të paktën jo para zgjedhjeve të ardhshme.

Në kuadër të diskutimeve për miratimin e konkluzave të takimit ministror të dhjetorit, shtetet anëtare të BE-së janë duke shqyrtuar formulimin e mesazhit rreth heqjes së masave. Burime diplomatike bëjnë me dije se ka ndasi të dukshme mbi këtë çështje. Disa shtete mbështesin heqjen e menjëhershme të masave, ndërsa të tjera preferojnë një qasje më të ngadalshme, graduale.

Ka edhe ndasi mes institucioneve evropiane. Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, nën drejtimin e Kaja Kallas, mbështet një heqje të plotë të masave, ndërsa Komisioni Evropian është më i kujdesshëm dhe ndjek qëndrimin e disa shteteve anëtare që janë më të rezervuara për heqjen e masave të menjëhershme.

Takimet në nivel ambasadorësh do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme, për të arritur një kompromis mbi formulimin final të konkluzave që do të miratohen më 16 dhjetor.

Për momentin, është e qartë se, pavarësisht premtimeve të mëparshme për heqjen e masave pas transferimit të pushtetit lokal, tani po kërkohet një riformulim që ruan këtë premtim për të ardhmen, por me një kalendar më të tërhequr, duke vonuar implementimin deri në një moment më të përshtatshëm

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *