#Lajme

Haziri reagon për koalicionin VV-LDK në Vushtrri: Kurti po shfrytëzon situatën për përfitime politike

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar koalicionin e krijuar në nivel lokal në komunën e Vushtrri mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Ai tha se kryeministri Albin Kurti po përpiqet të shfrytëzojë situata të tilla për përfitime politike.

“Kurti po ‘targeton’ dhe po i maksimalizon situatat e tilla. Ne e kemi cilësuar si rast të izoluar, jo në koordinim me ne, jo në bashkëpunim me ne dhe pa pëlqimin e Abdixhikut,” deklaroi Haziri për Kanal 10.

Ai theksoi se LDK mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit politik dhe bashkëpunimit institucional në nivel lokal, duke shtuar se “politikat manipuluese nuk i shërbejnë qytetarëve, por vetëm interesave të ngushta partiake.”

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, LDK përmes një komunikate njoftoi se kandidati i saj në Vushtrri, Arian Tahiri, nuk është autorizuar për këtë koalicion.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë dhe publikun se nuk ka autorizuar asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë. Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër janë individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me rregullat e LDK-së,” thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se kundërshtarët e partisë aktivizohen edhe për ngjarjet më të vogla dhe paralajmëroi se brenda partisë do të ketë “rend” dhe rregull.

“Jemi të vetëdijshëm për kundërshtarët që aktivizohen edhe për ngjarjet më periferike të LDK-së. Për punët brenda shtëpisë sonë do të ketë rend dhe me kohë gjithçka do të zgjidhet,” shkroi Abdixhiku.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *