Haziri për koalicion me VV-në: Për LDK-në çështja është e mbyllur, mos pritni befasi
Nënkryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë Kurti III, duke thënë se për LDK-në kjo është një “çështje e mbyllur”.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Teve1, Haziri tha se partia e tij nuk do të bëjë asnjë kompromis politik që mund të perceptohet si “shitje e votës”.
“Për LDK-në është çështje e mbyllur, mos pritni, nuk ka befasi. Meqë janë plotësuar kërkesat e deputetëve të pakicave joserbe, atëherë mund të bëhet qeveria me deputetë nga parti të tjera, por jo me LDK-në,” deklaroi ai.
Haziri shtoi se asnjë parti serioze nuk do të bëjë “vetëvrasje politike” për të votuar qeverinë e re.
“Çdo votë që jepet sot për arsye të mira interpretohet si shitje e votës. Askush nuk bën vetëvrasje politike për ta ndihmuar Republikën në këtë formë,” u shpreh ai.
Seanca e Kuvendit e paraparë për të dielën pritet të jetë vendimtare për formimin e institucioneve të reja, ndërsa Vetëvendosje ende nuk ka bërë publike ndonjë marrëveshje për sigurimin e shumicës parlamentare.











