Haxhiu konfirmon takimin mes Kurtit dhe Limajt: Ekziston vullnet për bashkëpunim, por ende pa marrëveshje konkrete
Kandidatja për kryetare të Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se do të zhvillohet një takim mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të NISMËS, Fatmir Limaj. Ajo tha se nga të dyja palët ekziston vullneti për bashkëpunim, megjithatë ende nuk ka një marrëveshje konkrete.
“Nga të dyja palët ka vullnet për të vazhduar bashkëpunimin, por deri tani nuk kemi diçka të konkretizuar”, deklaroi Haxhiu para seancës konstituive të Kuvendit.
Sa i përket mundësisë për konstituimin e Kuvendit në këtë seancë, Haxhiu u shpreh pesimiste, duke theksuar se opozita nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se gjasat për zgjidhje mbeten të vogla.
“Nuk pres që të kemi konstituim as në seancën e sotme. Qëndrimet e opozitës janë të njëjta dhe votimi do të bëhet sipas përgjegjësive kushtetuese dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ajo.











